Cila ishte kosto e shkurtimeve në buxhet për të luftuar pandeminë COVID-19?

11 November 2021

Kur ndodh një fatkeqësi natyrore ose një krizë, burimet e brendshme të financave publike shpesh janë porti i parë të cilit i drejtohen qeveritë për t'iu përgjigjur me shpejtësi nevojave urgjente. Qeveritë përdorin kontigjencën ose fondet rezervë, akumulojnë borxhe ose kryejnë rialokime të fondeve të buxhetit duke i zhvendosur burimet nga qëllimi i tyre fillestar për të financuar reagimin ndaj katastrofave1. Në mungesë të alternativave të transferimit të riskut apo edhe në prani të tyre, financimi i brendshëm përbën një burim të rëndësishëm për zbutjen e efekteve të katastrofave për shkak se mund të përdoret më shpejt dhe është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të qeverisë.

Sa kushton mbështetja tek burimet e brendshme të financave publike?

Kjo pyetje bëhet mjaft shpesh. Janë kryer disa studime mbi koston e vendosjes së parave në një fond rezervë, veçanërisht për rastet me profil risku të lartë. Është e thjeshtë të krahasosh koston oportune të mosfinancimit të prioriteteve të tjera, kundrejt shpeshtësisë së disbursimeve të pritshme.

Njohja e kostos së burimeve të ndryshme të fondeve është thelbësore për të vendosur mbi efikasitetin ekonomik dhe për ta krahasuar atë me përfitimet e financimit në kohë për kundërpërgjigjen. Ky informacion shërben si bazë për zhvillimin e strategjive gjithëpërfshirëse të financimit të riskut të katastrofave të cilat zakonisht kombinojnë burime të shumta financimi me qëllim minimizimin e kostove dhe maksimizimin e përfitimeve.

Megjithatë, deri më sot nuk ka shumë të dhëna lidhur me koston e rialokimeve të buxhetit për katastrofat.

Arsyet për këtë janë të shumta. Kjo përfshin sfidat që kanë të bëjnë me gjurmimin e rialokimeve ex-post, kur vendimet për arsyen dhe mënyrën e kryerjes së rialokimeve janë harruar tashmë, ndërsa të dhënat e detajuara janë varrosur në raportet e ekzekutimit të buxhetit në nivel projekti.

Ndonëse është i njohur fakti që qeveritë mbështeten tek rialokimet e buxhetit për të financuar kundërpërgjigjet ndaj goditjeve të mëdha dhe që këto rialokime nga ana e tyre shoqërohen me një kosto oportune përsa i përket të ardhurave të humbura si rezultat i shtyrjes në kohë ose anullimit të shpenzimeve, madhësia e këtyre rialokimeve dhe ndikimi i tyre është kryesisht i panjohur. Është gjithashtu jashtëzakonisht e vështirë t'i caktohet një vlerë shpenzimeve publike, aq më tepër shpenzimeve publike që nuk janë kryer.

Rast Studimor: Shqipëria ndërmerr iniciativën për të matur nga pikëpamja sasiore efektin e rialokimeve të buxhetit

Pandemia e COVID-19 e cila pushtoi gjithë botën duke nisur që nga viti 2020 ishte padyshim një katastrofë e rrallë dhe me efekte shkatërruese, por që ofroi gjithashtu një mundësi për të kontribuar në këtë bazë të dhënash. Ajo mundësoi gjurmimin e rialokimeve të buxhetit dhe vendimmarrjes gjatë kohës që ato ishin duke u realizuar.

Në Shqipëri, Banka Botërore dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë vendosën të analizojnë shkallën dhe shpeshtësinë e rialokimeve të fondeve buxhetore, duke u përqëndruar në shkurtimet e buxhetit dhe matjen sasiore të efektit të tyre2. Kjo u bë me qëllim për të kontribuar në bazën botërore të të dhënave si dhe për të kuptuar sesi financat publike të Shqipërisë mund të përdoren më mirë në rast të katastrofave.

Metodologjia e përdorur për këtë analizë është e ndarë në pesë hapa dhe përfshin: (i) njohjen me burimet ekzistuese të mundshme të financimit; (ii) analizimin e procedurave dhe kornizave ligjore të përdorimit të këtyre burimeve; (iii) krijimin e një skenari hipotetik - një vlerësim sa më i saktë se si do të kishte qenë viti 2020 pa pandeminë; (iv) analizën e shpenzimeve e mbështetur nga të dhënat e BOOST dhe intervistat me qeverinë; dhe (v) analizën e efektit, për të përcaktuar sasinë e të ardhurave të humbura nga devijimi i shpenzimeve publike.

Rialokimet e fondeve buxhetore në Shqipëri ishin duke shkuar drejt vlerave tepër të konsiderueshme në fillim të vitit 2020, por në mes të vitit ato u pakësuan pjesërisht si rezultat i një rritje të madhe të huamarrjes nga ana e qeverisë. Megjithatë, nga fundi i vitit 2020, si rezultat i situatës së COVID-19, më shumë se gjysma e programeve buxhetore të qeverisë pësuan shkurtime. Në total, rialokimet e fondeve buxhetore arritën në 17.7 miliardë lekë, e barazvlefshme me 93 për qind të totalit të shpenzimeve për COVID-19 në 20203, ose 5 për qind të totalit të shpenzimeve në vitin 20204.

Ndërsa disa nga këto shkurtime buxhetore u shoqëruan me një kosto të ulët ose të papërfillshme (për shkak se disa shpenzime u bënë të parealizueshme për shkak të kufizimeve të vendosura gjatë pandemisë), më shumë se gjysma e tyre u shoqëruan me kosto oportune. Në nivel agregat, sipas vlerësimeve, vlera e kostos oportune lidhur me rialokimet e fondeve buxhetore për pandeminë COVID-19 në vitin 2020, arrin në 12.3 miliardë lekë (113 milionë dollarë amerikanë), ose 0.76 për qind e PBB-së. Kjo duket një humbje modeste krahasuar me ndikimin e përgjithshëm të pandemisë në ekonomi, por është e konsiderueshme nëse krahasohet me 19 miliardë lekë të shpenzuara për masat kundër COVID-19.

Është e rëndësishme të mbahet parasysh se sa më shumë të mbështetet qeveria në rialokimet e buxhetit, aq më të kushtueshme do të jenë ato. Kjo ndodh për shkak se qeveritë zgjedhin si strategji të shkurtojnë fillimisht shpenzimet e parealizueshme ose me prioritet më të ulët, por pasi këto të jenë shteruar, nevojitet të bëhen zgjedhje më të vështira.

Rialokimet e fondeve të buxhetit ka të ngjarë të mbeten përgjithmonë ndër alternativat e para për t’u mbështetur në financat publike për shkak të shpejtësisë dhe fleksibilitetit të tyre. Një qasje strategjike ndaj rialokimeve të buxhetit mund t’i ndihmojë qeveritë të kursejnë para, duke minimizuar koston oportune të lidhur me to.

Fleksibiliteti në buxhetim është një qasje e re e formulimit të buxhetit që përpiqet ta bëjë këtë duke specifikuar kriteret e formalizuara për rialokimin dhe marrëveshjen ex-ante ndërmjet ministrive të linjës dhe agjencive qendrore financiare për prioritetet e tyre. Një qasje e tillë do të ndihmonte që procesi i vendimmarrjes për shkurtimet e buxhetit të jetë më transparent, me kosto efektive dhe më i shpejtë, duke u ofruar në të njëjtën kohë ministrive të linjës më shumë mundësi për parashikueshmëri lidhur me ndryshimet buxhetore brenda vitit.

Figura - Korniza për Qasjen ndaj Rialokimeve të Buxhetit lidhur me Katastrofat

 

Shënim: MLA-të - Ministritë e Linjës dhe Agjencitë

 

Fleksibiliteti në buxhetim duhet të trajtohet si element përbërës i qasjes gjithëpërfshirëse të financimit të rreziqeve nga katastrofat, të cilat së bashku do t'i ndihmojnë qeveritë të përmbushin në kohë dhe në mënyrë të qëndrueshme kërkesat për shpenzime në rast katastrofash duke zbutur pasojat në jetët njerëzore, mjetet e jetesës dhe ekonomi.

Për më shumë detaje mbi analizën e kryer mund të lexoni publikimin tonë të ri “Efekti i rialokimeve të buxhetit të lidhura me COVID-19: Shqipëria”.

 

Photo credit: Ana Gjokutaj / World Bank

 

Shpjegime:

1. Kjo mund të realizohet ose nëpërmjet transfertave ose nëpërmjet buxheteve normative (suplementare); Transfertat kanë të bëjnë me zhvendosjen e fondeve ndërmjet linjave të buxhetit në mënyrë të tillë që nuk ndikon në masë të konsiderueshme në natyrën e shpenzimeve publike; Buxhetet suplementare nevojiten në rast të ndryshimeve më thelbësore në buxhet, përfshirë ndryshimet që ndikojnë në portofolin e përgjithshëm buxhetor dhe deficitin fiskal.

2. Ky studim u mbështet nga Fondi i Mirëbesimit i Bankës Botërore me SECO për Programin për Financimin dhe Sigurimin e Rreziqeve nga Katastrofat Natyrore për Vendet me të ardhura të mesme.

3. Kjo nuk do të thotë se fondet e rialokuara shkuan për financimin e shpenzimeve të lidhura me COVID-19. Në kontekstin e rënies së të ardhurave, rialokimet mund të jenë bërë për të mbrojtur shpenzimet e tjera prioritare të qeverisë, jo domosdoshmërisht të lidhura me COVID-19.

4. Totali i shpenzimeve përfshin shpenzimet e ministrive të linjës, pagesat e borxhit dhe transfertat për pushtetin vendor.

 

Financial Resilience Around the World | Blog Series 

  1. Financial Resilience Around the World: Global Risk Financing Facility
  2. Three Ways Lesotho's Past Experience with Disasters Strengthen COVID-19 Response
  3. Three Steps to Help Albania Withstand the Financial Impacts of Disasters and Crises
  4. How the Pandemic Has Highlighted the Need for the Next Generation of Natural Catastrophe Impact Modeling
  5. How Burkina Faso is Leveraging a Credit Guarantee Scheme to Help SMEs Weather the COVID-19 Economic Crisis
  6. Using Satellite Data for Climate, Crisis and Disaster Risk Finance
  7. Learning from COVID-19 and Climate Change: Managing the Financial Risks of Compound Shocks
  8. Developing Disaster Risk Finance in Morocco: Leveraging Private Markets for Sovereign Risk Transfer
  9. Rural Resilience: It's Not Only About Insurance
  10. Leveraging Space Technology for Climate Risk Finance
  11. Resilient Finance: Closing the Protection Gap Against Disaster Risk
  12. Piloting the Next Generation Analytics for Climate-Related Financial Resilience of Critical Infrastructure in Southeast Asia