Tre Hapa për të Ndihmuar Shqipërinë për të Përballuar Ndikimet Financiare të Shkaktuara nga Fatkeqësitë dhe Krizat

Albania
21 January 2021

Në vitin 2019, Shqipëria u përball me një seri tërmetesh, ndër të cilët edhe një me magnitudë të lartë; më pas, mes përpjekjeve për rindërtim në vitin 2020, u godit edhe nga pandemia COVID-19. E përballur me nevojat e shumta në rritje, mbështetja e qeverisë shqiptare shkoi për të varfërit dhe personat e prekur nga fatkeqësitë dhe krizat, përfshirë këtu edhe bizneset. Për ta realizuar këtë, ajo shfrytëzoi rezervat fiskale, rishpërndau buxhetet për përparësitë urgjente dhe u mbështet tek ndihma e jashtme. Shumë nga këto masa u ndërmorën në bazë të nevojës.

Në shtator 2020, Banka Botërore së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë,  kreu vlerësimin diagnostikues në lidhje me financimin e riskut të fatkeqësive në Shqipëri.[1] Kjo përpjekje kishte për qëllim identifikimin e mangësive të financimit të mekanizmave për gatishmërinë financiare të vendit në rast fatkeqësish dhe rekomandimin e mënyrave për përmirësimin e tyre.

Menaxhimi i riskut të fatkeqësive është ndër përparësitë kryesore të politikave në Republikën e Shqipërisë dhe, pak kohë para tërmetit, qeveria shqiptare kreu edhe një seri reformash në këtë drejtim, si për shembull: miratimi i Ligjit të ri për Mbrojtjen Civile, racionalizimi i kornizave institucionale, decentralizimi i funksioneve që aktivizohen pas fatkeqësive dhe vënia në dispozicion e strukturave të nevojshme për fondet e emergjencës në nivel vendor dhe në nivel ministrie të linjës.

Bazuar në profilin e riskut të modeluar nga AIR Worldwide, analiza diagnostikuese vlerëson se tërmetet dhe përmbytjet mund të shkaktojnë dëme në vlerën mesatare prej 147 milionë dollarësh në vit, ku tërmetet kanë ndikimin më të madh. Një tërmet katastrofik - si për shembull një tërmet me një periudhë kthimi 1 në 100 vjet  - mund të shkaktojë dëme që e kalojnë vlerën prej 2 miliardë dollarësh. Figura 1 tregon humbjet e kombinuara që mund të shkaktohen nga tërmetet dhe përmbytjet. Figura 2 paraqet përqendrimin e ekspozimit në qytetet më të mëdha.

Figura 1. Dëmi i vlerësuar nga tërmetet dhe përmbytjet në Shqipëri

Burimi: Profili i riskut është marrë nga modelet e fatkeqësive të AIR Worldwide për tërmetet dhe përmbytjet në Shqipëri. Vlerat e treguara janë në lekë, të konvertuara në dollarë amerikanë, sipas kursit më të fundit të këmbimit 1 $/ 102.5 lekë. Janë aplikuar faktorët e indeksit dhe të gjitha vlerat e raportuara pasqyrojnë vlerësimet e vitit 2020.

Figura 2. Baza e të dhënave për ekspozimin e modeluar nga AIR

Kur perhapja e sigurimeve është e ulët, qeveritë mbajnë mbi shpatulla pjesën më të madhe të kostove pas një fatkeqësie. Burimet e këtyre kostove janë të ndryshme, por mund të përfshijnë përgjigjen në rast emergjence, rehabilitimin e aseteve publike, restaurimin e shërbimeve publike, mbështetjen e familjeve dhe ndërmarrjeve të vogla të pasiguruara dhe transfertat fiskale te pushteti vendor.

Kur mungon ose kur vonohet qasja tek financimi, ndikimet nga fatkeqësitë rriten, duke përkeqësuar ngadalësimin ekonomik dhe varfërinë dhe duke shkaktuar paqëndrueshmëri të buxhetit. Ndërsa Shqipëria ka akses të caktuar tek instrumentet e parapërgatitura të financimit, si për shembull fondet rezervë, ngjarjet madhore mund ta detyrojnë qeverinë të rishpërndajë buxhetin, të marrë hua dhe të mbështetet tek ndihma e jashtme (figura 3).Duke pasur parasysh financimin në dispozicion, hendeku i mundshëm i financimit i shkaktuar nga tërmetet dhe përmbytjet mund të kalojë mesatarisht 130 milionë dollarë amerikanë në vit.

Figura 3. Shtresimi i riskut në Shqipëri

Shënim: E Gjelbër = instrumentet për mbajtjen e buxhetit; Blu = transferimi i riskut; Gri = i padisponueshëm; modeli i linjës = pjesërisht i disponueshëm ose pjesërisht funksional; AKMC = Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile..

 

Për të adresuar mangësitë e identifikuara, Qeveria, nën drejtimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ka vendosur të ndërmarrë tre hapa të menjëhershëm[2]:

Hapi 1. Zhvillimi i Strategjisë kombëtare për Financimin e Riskut të Fatkeqësive. Kjo strategji do të identifikojë përparësitë e vendit dhe do të përcaktojë mënyrat për kombinimin e instrumenteve të ndryshme të financimit të riskut për adresimin e këtyre përparësive me kosto sa më efektive.

Hapi 2. Nxjerrja e mësimeve nga menaxhimi financiar i pandemisë COVID-19. Së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Banka Botërore është duke përgatitur analizën e shpenzimeve të gjeneruara për shkak të COVID-19. Duke u bazuar në gjetjet e vlerësimit diagnostikues për financimin e riskut të fatkeqësive, analiza do të forcojë të dhënat mbi kostot dhe përfitimet që rrjedhin nga përdorimi i instrumenteve që aktivizohen pas fatkeqësive siç janë rishpërndarjet e buxhetit dhe do të mbështesë qeverinë për zhvillimin e politikave për minimizimin e këtyre kostove.

Hapi 3. Realizimi i përpjekjeve për të eleminuar mangësitë në lidhje me mbrojtjen në rast fatkeqësish. Përmes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Shqipëria ka punuar për përgatitjen e një projektligji për sigurimin e detyrueshëm ndaj tërmeteve për ndërtesat e banimit. Ligji po diskutohet në strukturat e brendshme të qeverisë, e cila do të përcaktojë edhe hapat e mëtejshëm në këtë aspekt.

 


[1] Ky vlerësim diagnostikues u zhvillua në kuadrin e një pune më të gjerë në lidhje me menaxhimin e riskut të fatkeqësive në Shqipëri përmes  ndihmës teknike të financuar nga Programi Japoni –Bankë Botërore për Integrimin e Menaxhimit të Riskut të Fatkeqësive në Vendet në Zhvillim përmes Strukturës Globale për Zvogëlimin dhe Rimëkëmbjen nga Fatkeqësitë. Gjithashtu, vlerësimi diagnostikues shoqëron edhe përpjekjet e tjera për të promovuar gatishmërinë financiare ndaj fatkeqësive, si puna për sigurimin ndaj tërmeteve që ndjek gjetjet e dala nga Financial Sector Assessment Program (Programi i Bankës Botërore, 2014 për Vlerësimin e Sektorit Financiar për Shqipërinë).

[2] Kjo punë do të mbështetet nga Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO) përmes Programit Sovran të Bankës Botërore - SECO për Financimin dhe Sigurimin ndaj Riskut të Fatkeqësive  

Kredia e fotografisë: Gent Shkullaku. Një rajon i përmbytur në Shkodër, Shqipëri (2021).

This blog was also published in Monitor Magazine (in Albania) on page 19-21, click here for the article. 

To read this blog in English, click here